Berisha: Frika se i marrin partinë, Rama të vjetrit i vuri nga fundi i listës

Faktin që emra të vjetër të PS, si Mimi Kodheli, Fatmir Xhafaj a
Pandeli Majko janë në një zonë të pasigurt në lista, ish-kryeministri
Sali Berisha e shpjegon me garën që bëhet për drejtimin e Partisë
Socialiste. Në një intervistë për “Zgjedhje 2021” në “Vizion Plus”,
Berisha deklaroi se ata u përjashtuan nga Edi Rama se kërkon që të
mbetet kryetar i PS.

“Ata janë të përjashtuar, ata përfaqësojnë kontigjentin e
ndëshkuar në listë nga Edi Rama. Bindjet e tyre janë si tuneli i
Pandeliut në Otranto. Ata u përjashtuan me qëllim sepse Edi Rama
gjithçka po bën që të mbetet kryetar PS pas disfatës së tmerrshme që e
pret,”
 – tha Berisha.

Duke theksuar se nuk ka pasur asnjë ndikim në hartimin e listave të
PD, ish-kryeministri Sali Berisha pranoi se ai do ta kishte formuluar
ndryshe atë.

“Unë nuk kam pasur as në listën e 2017, as në listën e 2021,
absolutisht asnjë influencë. Kjo është parimore për mua sepse kryetari i
PD dhe kryeministri i ardhshëm, ka tagrin e plotë të zgjedhë ekipin e
tij.

Sali Berisha nuk merr asnjë funksion përsipër. Kryetari i PD ka
reflektuar dhe ka organizuar një procedurë për listat, të paprecedentë
ndonjëherë në historinë e vendit. Listat u përzgjodhën me një komision
të caktuar, u votuan një anëtar, një votë, u rikthyen dhe lista prej 320
kandidaturash u finalizua nga komisioni i ngarkuar.

Miratimin përfundimtar e dha kryetari dhe Kryesia e partisë. Unë e
vlerësoj qartësisht pozitive listën, por jo unë, por edhe çdo njeri, do
ta bënte të ndryshme listën. Lista që paraqiti Basha në këto zgjedhje
është lista që ka patur impaktin më pozitiv tek Anëtarësia dhe
strukturat e PD.

Kjo listë ndryshon nga ajo e 2017 nga një proces kryekëput
transparent që është zhvilluar ndonjëherë për listat. Kandidaturat janë
shumë të mira dhe janë pëlqyer. Strukturat nuk patën kundërshti dhe e
mirëpritën listën përfundimtare. Kandidatët tanë takohen me qytetarët
dhe tregon se kanë një respekt dhe mirëbesim të qytetarëve.”–
 tha Berisha