Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka folur sot për abuzimin me të dhënat personale të qytetarëve në E-Albania nga qeveria në këtë fushatë elektorale në
një takim me të rinjtë në Farkë. “Marifet” e quajti Basha, grumbullimin
e të dhënave të mijëra qytetarëve dhe përllogaritjen e secilit prej
tyre si votues i mundshëm ose jo i PS-së në 25 prill.
Basha tha: “Është faji i qeverisë që tetë vite e ka lënë Shqipërinë në vendnumëro. Është faji i Kryeministrit që tallet e nëpërkëmb dinjitetin e të rinjve me arrogancën që e karakterizon dhe e shpalos para çdo shqiptari. Dhe pas tetë vitesh dështime ka guximin e të thotë më jepni edhe katër vite të tjera!!!
Unë e di përgjigjen se e dëgjoj kudo, e di fare mirë!!! E di dhe ai! Dhe nuk ka marifet që e shpëton!
E keni parë atë marifetin që e publikuan dje, që rrinë dhe mbledhin
numra të kartave të identitetit etj. etj.?! Nuk ka marifet që e shpëton!
25 prilli është dita e bashkimit më të madh të shqiptarëve për
ndryshim! Ndaj ftesa ime ndaj teje është të qëndrosh këtu sepse pas 25
prillit ndryshimi do të marrë formë konkrete”, theksoi Basha duke iu
drejtuar një gjimnazisteje.
Portali Lapsi.al denoncoi para pak ditësh një skandal me përmasa të
mëdha. Nën ethet e mandatit të tretë, qeveria ka vendosur në duart e
militantëve të saj të dhënat personale të qytetarëve të mbledhura nga
portali qeveritar e-Albania, si numrin e kartës së ID, telefonit dhe në
rast se e kanë ndërruar, adresën e banimit, statusin social, qendrën e
punës shtet apo privat etj. Prokurorë, Gjyqtarë dhe njerëz të artit dhe
medias, janë futur nën patronazhin e zyrave elektorale të zonës ku
banojnë.