Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim është shqetësuar nga
titujt e mediave pas një interviste të saj lidhur me zgjedhjet në
Shqipëri. Kim ka sqaruar deklaratën e saj në rrjetin social të
Tëitter-it, duke u shprehur se SHBA nuk mbështet asnjë parti apo
kandidat të veçantë. Sipas saj, SHBA-të paralajmërojnë vetëm ata që duan
të blejnë votat e qytetarëve për të ndërhyrë në rezultatin e
zgjedhjeve.
“Po shoh disa tituj të pavërtetë. Ju lutemi shikoni të gjithë
intervistën. Shtetet e Bashkuara NUK mbështesin ndonjë kandidat ose
parti të veçantë. SHBA mbështet të drejtën e qytetarëve për të bërë të
ditur vullnetin e tyre përmes votës së tyre. SHBA paralajmëron kundër
atyre që e mohojnë këtë të drejtë duke blerë vota ose duke frikësuar
votuesit,” – shkruan Kim.
Mbrëmjen e së martës në emisionin “Përballë” në RTSH ajo është
shprehur se 25 prilli është momenti kur shqiptarët të tregojnë se janë
kundër kriminelëve dhe të votojnë për ndryshimin.
“Shqiptarët që takoj kudo në vend më thonë se iu ka ardhur në
majë të hundës nga korrupsioni; iu ka ardhur në majë të hundës nga
pandëshkueshmëria; iu ka ardhur në majë të hundës nga kriminelët që ulen
në parlament. Epo, ky është momenti. Ma tregoni me veprime, tregojeni
me veprimet tuaja se e keni seriozisht.
Nuk mund të ndodhë që më kërkoni opinionin tim si Shtetet e
Bashkuara, unë jua jap dhe pastaj ju vazhdoni të bëni të njëjtën gjë.
Nëse doni ndryshim, votoni për ndryshim. Nëse doni kriminelë, votoni për
kriminelë. Por ajo që bëni duhet të përputhet me atë që thoni se doni.
Dhe 25 prilli është momenti,” – tha Kim.