Kryetari i PD-së Lulzim Basha ditën e sotme ka takim me qytetarët në Krujë në kuadër të fushatës elektorale.
Nga Kruja Basha tha se Rama është sot problemi kryesor i Shqipërisë, pasi e ka marrë peng vendin si dhe shtoi se kryeministri aktual e kupton se po humb e se Shqipëria po fiton.
Basha: Vëllezër e motra krutanë. Jemi bashkë që të çbllokojmë njëherë rrugën e rinisë krutane dhe shqiptare. Më 25 prill, të gjithë bashkë. Këta në qeveri kanë marrë peng shpresën dhe besimin, që prindi ka tek bashkëshorti dhe bashkëshortja. Sot, nga kryeqendra arbërore e Skënderbeut, për ta çliruar Krujën dhe Shqipërinë nga tetë vjet dështime e vuajtje. Më 25 prill zgjidhja është në dorën tuaj. Votoni 9, që rinia të mund të qëndrojë, punojë e jetojë këtu. Pa larguar Ramën, nuk hapen dyert e Evropës. Shqipëria thërret për ndryshim. Mos i hapni derën dështimit për herë të tretë. Për të ardhmen tuaj, votoni numrin nëntë. Votoni numrin 9.
Për 8 vjet me radhë rrugën e të rinjve krutanë, rruga e të rinjve shqiptarë është bllokuar nga një njeriu dhe shpura e tij, 8 vjet dështime, 8 vjet premtime të pambajtura, 8 vjet laku në fyt për shumicën dërrmuese të shqiptarëve dhe pasuri marramendëse për një grusht njerëzish që kanë marrë peng Krujën, kanë marrë peng Shqipërinë dhe rrugën tonë drejt Europës. Kanë marrë peng për një kohë të gjatë edhe gjënë më të shtrenjtë, shpresën, shpresën dhe besimin që prindi ka tek vetja, tek bashkëshorti, tek bashkëshortja, shpresën dhe besim për fëmijët tanë.
Për këto arsye, kryedemokrati bëri thirrje që qytetarët të votojnë numrin 9 në fletën e votimit për të hapur rrugën drejt Evropës.
Basha: Por shqiptarët do ta marrin vendimin më 25 prill. Votoni numrin 9! Votoni numrin 9! Nuk mundet kurrë të pranojmë, tani që të gjithë e dimë që ai vet e ka pranuar humbjen. Nuk mund të pranojmë kurrë që një njeri që për 8 vite i mashtroi shqiptarët të kërkoj e të trokas e të bëhet pjesë e qeverisjes tonë. Kurrë nuk do të ndodh! Ne do ta largojmë me votë dhe do ta hapim rrugën evropiane për Shqipërinë dhe shqiptarët.