Partia Demokratike në Vlorë ka denoncuar në Prokurori ditën e sotme, drejtorin e OSHEE së këtij qyteti, Erion Osmenaj.
‘Jam sot këtu, në emër të PD Vlorë, për të bërë publik, Kallzimin Penal kundër Drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Vlorë, Erion Osmenaj.
Ne si subjekt politik kemi rënë në dijeni të faktit se:
Drejtuesi i institucionit të OSHEE Vlorë, kohët e fundit dhe deri ne momentet e këtij kallëzimi, ka punësuar dhe vazhdon të punësoj në mënyrë të kundraligjshme individë, duke anashkaluar çdo procedurë të parashikuar nga kodi i punës.
Në dijenin tonë Drejtoria e OSHEE, këto rekrutime të këtyre personave, i bën duke marrë prej tyre premtimin që këta dhe familjarët e tyre do të votojnë në mënyrë të kushtëzuar subjektin në pushtet, Partinë Socialiste.
Drejtuesi i OSHE me veprimet e tij të mirëmenduara dhe mirëorganizuara që kanë qëllime elektorale ka kryer Punësime në këtë institucion pa asnjë kriter dhe në kundërshtim të plotë me Kodin e Punës. Pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, në dijenin tonë, organika është e mbingarkuar nga punësimet elektorale.
Në këtë mënyrë të përdorur nga drejtori i “Tërmetit”, duke punësuar pranë institucioneve shtetërore individë me qëllimin e garantimit të votës për subjektin politik në pushtet PS përbën vepra penale të Shpërdorimit të Detyrës dhe Korrupsioni Aktiv në zgjedhje parashikuar nga nenet 248 dhe 328 i kodit penal.
Në këtë kallzim të drejtuar Prokurorisë së Rrethit Vlorë, Partia Demokratike Vlorë shpreh gadishmërinë e plotë, për të mbështetur Prokurorinë, gjatë këtij hetimi.
Kërkojmë nga ky institucion të angazhohet seriozisht, për të ndalur shpërdorimin e fondeve publike si dhe të dërgoj përpara përgjegjësisë penale funksionaret publik që lidhen me këto abuzime!
Partia Demokratike Vlorë