Autokolonat e Partisë Demokratike, ku ndodhej edhe kryedemokrati
Lulzim Basha, teksa ishin nisur drejt Fushë –Arrëzit, janë ndalur në
Kukës, për shkak të numrit të shumtë të qytetarëve që kishin dalë për të
përshëndetur liderin demokrat.
Ky i fundit, doli nga makina dhe u vendos në mesin e qytetarëve për
t’i bërë thirrje për ndryshimin, që sipas tij, arrihet më 25 prill duke
votuar numrin 9.
Basha i vendosi theksin shpopullimit që po ndodh në Qarkun e Kukësit,
e më tej, në të gjithë Shqipërinë, e shtoi se pas 25 prillit, ky
fenomen do të minimizohet.
“Nuk mund të kaloja pa u ndalur për faleminderit për këtë pritje.
Bashkë për ndryshim, me votën tuaj për numrin 9 do i kthejmë Kukësit dhe
Shqipërisë mundësinë për punësim dhe arsim. Për tetë vite me radhë,
Kukësi është zbrazur nga bijtë dhe bijat e tij, është treva më e
shpopulluar.
Tetë vite dështime, të lënë plagë në qytetarët e Kukësit. Ndonëse
është një plagë që rrjedh anembanë vendit, mijëra djem dhe vajza të
larguara, ky realitet, nuk ka për të ndryshuar po nuk larguam shkaktarin
e këtyre vuajtjeve.
Asnjë marifet elektoral nuk e shëron dot këtë plagë, këtë e di Kukësi
dhe Shqipëria. Bashkë për ndryshim votoni numrin 9. Faleminderit për
këtë pritje, me lejen tuaj do nisem për Fushë-Arrëz, Pukë e më tej. Zoti
ju bekoftë juve! Zoti e bekoftë Shqipërinë!”, tha Basha