Në fjalën e tij, Basha tha se nuk do të lejojë një ndarje të dytë të Hasit, si dhe do të heqë traun në Rrugën e Kombit.
Mes të tjerash, kryedemokrati iu drejtua Ramës, duke i thënë se “O i
mjerë që mendon se me një ditë dhe një fluturim mund të lash 8 vite
borxh ndaj këtyre banorëve, që i fyen në mençurinë e tyre, këtë trevë që
mençurinë dhe trimërinë ja kanë dhënë gjithë shqiptarëve”.
“Faleminderit për shpresën dhe entuziazmin që përcillni të gjithë te
ndryshimi që po vjen. Më mbush me emocion ky mëngjes i nisur në Tropojë
dhe tani këtu në Has, Hasin e ndarë padrejtësisht. Hasin e dritës në
ditët më të errëta të kombit tonë, të dritës së Frank Bardhit. Ndjehem i
mrekulluar në mesin e këtij populli fisnik, trim e qëndrestarë.
Sikundër ju jam mirënjohës nga zemra, me fjalë që mezi i gjej, për
betejën e pandërprerë për liri, demokraci si gjithë Evropa, që nuk e
harroj dhe nuk do ta harroj as pas 25 prillit. Më 25 prill, Rama humb,
Shqipëria e shqiptarët fitojnë, duke votuar numrin 9. Trau i Rrugës së
Kombit do të hiqet. Ne që punuam me mish e me shpirt për ta bashkuar
Hasin e ndarë padrejtësisht nga Tirana e Prishtina, ne nuk do të lejojmë
një ndarje të dytë. Një popull bujar e fisnik si hasjanët nuk e meriton
vafërinë, mungesën e infrastrukturës, të energjisë elektrike. Me votën
tuaj ju do të bëni të mundur që të keni një qeveri që punon për ju, jo
për vete, një qeveri të të gjithë shqiptarëve, jo të një grushti
oligarkësh.
8 vite janë një kohë shumë e gjatë për të provuar një njeri dhe 8
vite Hasi e ka provuar Edi Ramën, sic e ka provuar gjithë Shqipëria. 8
vite dështim, varfëri, shpunësim, emigracion, largim masiv i më të
mirëve, i djemve, dritës së syrit të nënave të veta. O i mjerë që mendon
se me një ditë dhe një fluturim mund të lash 8 vite borxh ndaj këtyre
banorëve, që i fyen në mençurinë e tyre, këtë trevë që mençurinë dhe
trimërinë ja kanë dhënë gjithë shqiptarëve. Nuk ka dhe nuk ka për të
pasur amnisti për dështimet 8-vjecare të Edi Ramës, sepse shqiptarët
janë bashkuar. Këto janë zgjedhjet më të rëndësishme, që do të ndajnë
njëherë e mirë një pyetje të vetme që shtrohet para gjithë shqiptarëve e
Shqipërisë: A do ja hapni dyert dështimit edhe 4 vite të tjera? Apo do
bëhemi bashkë për ndryshim, ndryshimin që kërkon çdo shqiptar. Fatin
tuaj e keni në dorë vetëm ju, ndaj të gjithë së bashku, demokratë e
socialistë, hasjanë e të gjithë bashkë, më 25 prill, votoni për
ndryshimin, votoni numrin 9”, tha Basha.