Studiuesit në Universitetin e Oksfordit kanë miratuar një provë
të re për të testuar përgjigjen imune tek njerëzit e shëruar nga covid
19, për t’i mbrojtur nga ri-infektimi. Testimi do të ndahet në dy faza
dhe pritet të marrë në analizë qelizat T dhe antitrupat. Ky studim do të
ndihmojë në përcaktimin nëse vaksinat e reja do të jenë efektive pa i
testuar domosdoshmërisht ato në faza të shumëfishta të efektivitetit.
Studiuesit në Britaninë e Madhe do të testojnë përgjigjen imune tek
njerëzit e shëruar nga Covid 19 për t’i mbrojtur nga ri-infektimi.
Këto teste përfshijnë ekspozimin e qëllimshëm të njerëzve të
shëndetshëm ndaj organizmave që shkaktojnë sëmundje, por e gjitha kjo në
mënyrë të kontrolluar.
“Qëllimi i këtij studimi është të përcaktojë se çfarë lloj reagimi
imunitar parandalon ri-infektimin,” tha Helen McShane, një profesore e
embriologjisë në Universitetin e Oksfordit.
McShane tha se ekipi do të masë nivelet e përbërësve të ndryshëm të
përgjigjes imune të pjesëmarrësve – përfshirë qelizat T dhe antitrupat –
dhe më pas do të monitorojë nëse pjesëmarrësit infektohen përsëri kur
ekspozohen ndaj virusit.
Pjesëmarrësit duhet të jenë të shëndetshëm, jo në grupe të
prekshme, të jenë midis moshës 18 dhe 30 vjeç dhe të jenë të infektuar
me koronavirus të paktën tre muaj para se të bëjnë testin.
Faza e parë e testit fillimisht do të përfshijë 24 pjesëmarrës të
ndarë në grupe, të cilët do të marrin, përmes hundës, llojin fillestar
të koronavirusit.
“Ideja është që të fillojmë me një dozë shumë të ulët dhe, nëse
është e nevojshme, ta rrisim atë. Qëllimi ynë është të infektojmë 50% të
pacientëve tanë, por pa ose me simptoma shumë të lehta,” tha McShane,
duke shtuar se pasi të përcaktohet doza e kërkuar, do t’u jepet 10 deri
40 pjesëmarrësve të tjerë për konfirmim.
Faza e dytë e studimit – që pritet të fillojë në verë – do të
përfshijë një grup të ri pjesëmarrësish dhe do të studiojë me kujdes
përgjigjen e tyre imune para dhe pas ekspozimit ndaj virusit, si dhe
barrën dhe simptomat tek ata që rishfaqen Covid.
Në rast të konfirmimit të ri-infeksionit ose simptomave në çdo fazë
të testit, pjesëmarrësve do t’u jepet terapi me antitrupa monoklonale.
“Nëse ne mund të përcaktojmë nivelin e përgjigjes imune mbi të
cilën një person nuk mund të infektohet, atëherë kjo do të na ndihmojë
të përcaktojmë nëse vaksinat e reja do të jenë efektive pa i testuar
domosdoshmërisht ato në faza të shumëfishta të efektivitetit,” tha
McShane.
Pjesëmarrësit do të paguhen për tu bërë pjesë e këtij studimi, pasi
çdo vullnetar duhet të jetë në karantinë për të paktën 17 ditë gjatë
provës dhe të monitorohet për 12 muaj.