Kur kanë mbetur edhe 5 ditë nga fushata elektorale për zgjedhjet e 25
prillit, kryetari i PD-së, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-së, Monika
Kryemadhi janë bërë bashkë në një takim elektoral. Mbrëmjen e së dielës
ata kanë takuar banorët e dëmtuar nga tërmeti në zonën e ish-Kombinatit
në Tiranë. Të dy ata janë shprehur se Rama po përpiqet që t’i përçajë me
deklaratat për bashkëpunim pas zgjedhjeve.
“Me siguri ju ka rënë në sy edhe ju që edhe Edi Rama e ka
kuptuar, e ka mësuar tani që me 25 prill ai humb dhe Shqipëria fiton dhe
tani po përpiqet të hapë një deriçkë dhe kërkon të bëhet pjesë e
qeverisjes që do të formojmë pas zgjedhjeve të 25 prillit. Koalicioni
për ndryshim do të bëjë koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim me
qëllim për t’i dhënë vendit një qeverisje të ndryshimit, një qeverisje
të shpresës, një qeverisje e cila do të hapë rrugën për Shqipërinë në
Europë, duke hapur brenda 100 ditëve të para negociatat” – tha Basha.
“Jemi të dy bashkë edhe pse kemi 2 vjet që nuk ndahemi asnjë
moment, erdhëm këtu sepse këtu fillon shtëpia e shqiptarëve, këtu fillon
shtëpia juaj. Zoti Basha ka një plan të qartë për të ecur në rrugën e
integrimit Europian dhe ne jemi të gjithë bashkë për ta çuar Shqipërinë
në Europë, sepse fëmijët e shqiptarëve meritojnë një Shqipëri Europiane,
nuk meritojnë Shqipërinë e një të mbaruari që i iku koha” – e përforcoi Kryemadhi.
Basha tha se me PD në pushtet procesi i rindërtimit do të
përshpejtohet dhe nuk do të zvarritet më siç ka ndodhur me qeverinë e
Ramës.
“Jemi këtu për të parë shkatërrimin që po lë pas Edi Rama pas 8
vitesh dështime dhe me dështimin e fundit, atë të rindërtimit që kanë
lënë familjet tuaja pa strehë dhe jemi këtu për të thënë se etja për
ndryshim, domosdoshmëria për ndryshim tani ndihet kudo. Pjesë e
ndryshimit në programin tonë, është dhe rindërtimi me shpejtësi.
Përfundimin në kohën më të shkurtër të mundshme i këtij procesi jetik.
Kjo erë ndryshimi këtu në Kombinat.
Për ne rindërtimi do të kalojë në 3 faza. Vlerësimi i çdo ankese
me transparencë, vlerësim real i dëmit, kompensim dhe rindërtim pa asnjë
pengesë dhe duke eliminuar të gjitha procedurat burokratike dhe
korruptive të këtyre kohëve, të cilat i mbajtën dy dimra mijëra familje
në çadra. Por njësoj kudo ku kemi qenë nëpër Shqipëri etja për ndryshim
ndihet anembanë dhe shikohet në fytyrat e të gjithëve, të nënave, të
rinisë që është mbledhur këtu” – tha Basha.
Ndersa kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi akuzoi Ramën se po grabit pronat e qytetarëve të prekur nga tërmeti.
“Jo pa qëllim, jemi sot këtu në këtë orë të vonë në Kombinat
sepse këtu ku Edi Rama kërkoj të grabisi pronat tuaja, ku Edi Rama
kërkon të grabisë shtëpitë tuaja. Prandaj me 25 prill, sot ne jemi
bashkë këtu edhe unë edhe zoti Basha, për tju thënë të gjithë
shqiptarëve, që ne jemi një dhe jemi një me të Shqipërinë” – tha ndër të tjera Kryemadhi.
“Unë nuk është se jam shqetësuar por në fakt sot e kam kuptuar
tmerrin e madh të Edi Ramës. Sot deklarata e sotme e Presidentit të
Serbisë tregonte hallin e madh të Edi Ramës sepse çfarë shikon ai?
Shikon te Lulzim Basha, shikon te Monika Kryemadhi, shikon te çdo
demokrat, te çdo liste, te çdo socialist i ndershëm që do të votojë në
25 prill kundër Edi Ramës dhe Rilindjes dhe pro erës së ndryshimit.
Prandaj mos ndaloni çdo ditë me njerëzit sepse ne ju japim fjalën dhe do
t’i qëndrojmë jo vetëm procesit të Integrimit Europian që tha zoti
Basha, por do ti qëndrojmë rindërtimit dhe do ta çojmë deri në fund, ju
të vendosni, ju të rindërtoni shtëpitë në pronat tuaja” – tha Kryemadhi.