Vëllai plagos me thikë 27-vjeçarin pasi dhunonte nënën, arrestohet autori në Has

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Krumës. Një 27-vjeçar
është plagosur me thikë nga vëllai i tij pasi dhunonte të ëmën.

Sipas policisë ngjarja ka ndodhur  rreth orës 07:55, ku në spitalin e
qytetit Krumë ka shkuar i plagosur me mjet prerës shtetasi S. H., rreth
27 vjeç. Fillimisht ai ka thënë se është vetëplagosur në banesën e tij.

Por pas hetimeve ka rezultuar se shtetasi S. H. ishte plagosur me
mjet prerës thikë nga vëllai i tij, R. H., pasi ky i fundit dhunonte të
ëmën. Ky i fundit është vënë në pranga.

Njoftimi i plotë:

 “Sot, rreth orës 07:55, në spitalin e qytetit Krumë ka shkuar i
plagosur me mjet prerës shtetasi S. H., rreth 27 vjeç, banues në qytetin
e Krumës.

Nga intervistimi paraprak shtetasi S. H. ka pohuar se ishte vetëplagosur në banesën e tij.

Menjëherë grupi hetimor ka filluar hetimet dhe ka rezultuar se
shtetasi S. H. ishte plagosur me mjet prerës thikë nga vëllai i tij,
shtetasi R. H., pasi dhunonte të ëmën.

Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorit. Falë
veprimeve të shpejta dhe profesionale, në qytetin e Krumës, u bë e
mundur kapja e autorit, shtetasit R. H., i cili shoqërohej së bashku me
shtetasin G. B.

Gjatë kontrollit fizik, shtetasit G. B. iu gjet dhe sekuestrua
mjeti prerës (thikë), me të cilin dyshohet se është plagosur 27-vjeçari.

Shtetasit R. H. dhe G. B. janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Has, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.