Nuk kalojnë çdo ditë superjahte gjigante nëpër kanalet e ngushta të Holandës. Por fatmirësisht, fotografi Tom van Oossanen regjistroi momentin ndërsa “Projekti 817”, një anije prej 94 metrash, e ndërtuar nga kantieri holandez, po transportohej nga ishulli Kaag në Detin verior në Roterdam.
Në fotot mahnitëse, duket një nga anijet më të mëdha të vitit 2021, duke lundruar në kanalet e ngushta përmes shtëpive dhe kishave. Ndërkohë banorët ndjekin me habi spektaklin e anijes gjigante.
Sipas fotografit, përgjatë kësaj rruge transferohen çdo vit rreth katër deri në gjashtë jahte. Sidoqoftë, ato nuk janë të mëdha sa Projekti 817, raporton CNN.
Ishulli Kaag është një nga dy kantieret e anijeve Feadship që do të thotë se çdo jaht i dorëzuar nga këtu duhet të tërhiqet me kujdes në të njëjtën mënyrë.
Disa pjesë të kanaleve përgjatë rrugës janë vetëm disa metra më të gjera se Projekti 817, kështu që transferimi i anijes duhet bërë me shumë kujdes dhe vëmendje. Fotografi, Oossanen thotë se ka parë vetëm katër super jahte të kësaj madhësie që kanë kryer të njëjtën rrugë ujore.
“Kështu që projektuesit nuk mund të shtonin as edhe një centimetër tjetër në gjatësinë ose në gjerësinë e anijes.”
Kompania Feadship shprehet se kohëzgjatja e transferimit të anijes varet nga faktorë të ndryshëm, siç janë masat ajrore dhe oraret e urës, dhe mund të zgjasë nga dy deri në katër ditë. Transporti i Projektit 817 zgjati rreth katër ditë.
Nuk është për t’u habitur se transferimi i “Projektit 817” shkaktoi mjaft trazira në tokë, veçanërisht gjatë kalimit nëpër fshatrat e vegjël gjatë rrugës.
Banorët u mahnitën nga madhësia e jahtit
Oossanen ka fotografuar shumë transferime të tilla, por ai thekson se asnjë xhirim nuk është i njëjtë, dhe vazhdimisht po përpiqet të gjejë mënyra të reja për të fotografuar anijet.
“Çdo varkë është e ndryshme. Është sfidë më vete për ta fotografuar transferimin e anijes kurdoherë në mënyra të ndryshme” thotë ai.
Jahti më i madh prej çeliku pritet të nisë ndërtimin në muajt e ardhshëm, ndërsa Projekti Y719 prej 117 metrash i Oceanco pritet gjithashtu të ndërtohet brenda vitit.