Rama reagon ndaj Mziut: Ndjesa e këtij trogloditi nuk vlen, drejtësi popullore në 25 prill

Lidhur me thirrjet e kryesuesit të listës së PD-së në Dibër, Xhelal
Mziu, ka reaguar edhe kryeministri Rama i cili shkruan se ndjesa e tij
nuk vlen asnjë qindarkë.

Rama shkruan në Facebook se Mziu është subjekt i vetëdeklaruar i
drejtësisë penale dhe se ky soj politike duhet të jetë subjekt i
drejtësisë popullore në 25 prill

Rama: Ndjesa e këtij trogloditi nuk vlen asnjë
qindarkë! Ky është një subjekt i vetëdeklaruar i drejtësisë penale,
ndërsa kjo soj politike duhet të jetë subjekt i drejtësisë popullore në
25 prill! Kush vjen në pushtet duke vrarë, dhunuar e kërcënuar edhe
pushtetin e ushtron duke vrarë, dhunuar e kërcënuar! Populli duhet t’u
tregojë këtyre gangove me kravata dhe atyre që janë armatosur për të
sjellë ndryshimin së prapthi në Shqipëri, se Shqipëria dhe shqiptarët
nuk kthehen më mbrapsht!

Rama shton se në 25 prill votohet për fëmijët që s’kanë të drejtë
vote, por që nuk kanë asnjë borxh kundrejt prindërve të tyre për kthimin
e reve të zeza të së shkuarës mbi kokat e tyre

Rama:
25 prill votohet për fëmijët që s’kanë të drejtë vote, por që asnjë
borxh nuk u kanë prindërve të tyre kthimin e reve të zeza të së shkuarës
mbi kokat e tyre! Shqiptarë e shqiptare kudo që jeni! Tregojeni me
votën tuaj, forcën e madhe të karakterit që Shqipëria kërkon sot prej të
gjithë ne, në rrugën drejt majës ku duhet të vazhdojmë të ngjitemi, për
ta bërë Shqipërinë zonjën që Zoti deshi, kur i fali bujarisht bukuritë e
saj përrallore.

Ndërkohë, pas deklaratës së tij lidhur me ngjarjen e Elbasanit dhe
mbrojtjen e votës, Mziu ka kërkuar falje publike duke thënë se është
penduar për komentin e tij.