Komisioni i Jashtëm i Kongresit Amerikan, thirrje Shqipërisë për zgjedhje demokratike

Në Kongresin e SHBA, Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme të
Dhomës së Përfaqësuesve Gregory W. Meeks, demokrat dhe numri dy i këtij
komisioni Michael McCaul, republikan, u bënë thirrje autoriteteve të
Shqipërisë të garantojnë zgjedhje demokratike, pa shitblerje votash,
frikësime apo dhunë.

“Ndërsa Shqipëria përgatitet për zgjedhjet kombëtare të 25 prillit, –
thanë ata në një deklaratë, – ne i nxisim autoritetet shqiptare të
garantojnë që votuesit do të jenë në gjendje të hedhin votat e tyre të
lirë nga shitblerja, frikësimi dhe dhuna.”

“Ne gjithashtu presim që të gjithë udhëheqësit – ata aktualisht në
detyrë dhe ata që shpresojnë të zgjidhen – të veprojnë në përputhje me
normat demokratike edhe kur bëjnë fushatë të fuqishme. Miqtë e
Shqipërisë në Amerikë mbeten të përkushtuar për të mbështetur një të
ardhme demokratike dhe të begatë për popullin shqiptar,” thuhet në
deklaratë.

Një deklaratë të ngjashme bënë të enjten edhe krerët e Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme, Bob Menendez dhe Jim Risch.

Thirrje për vetpërmbajtje ka bërë edhe ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim. Ajo tha se “Ditët e grupeve të armatosura që mbajnë simbolet e ndonjë partie politike dhe “patrullojnë” rrugët i përkasin të kaluarës së shëmtuar, që duhet refuzuar”.

Të enjten, ambasadorja Kim tha se “është përgjegjësi e udhëheqësve që
ndodhen në pozicionet më të larta drejtuese të vendit, që të bëjnë
thirrje për qetësi”, duke shtuar se “po monitorohen të gjitha veprimet e
ndërmarra nga drejtuesit e vendit”.

Thirrjet vijnë pas shqetësimeve të krijuara nga një sërë incidentesh
të ditëve të fundit me përdorim dhune ose me thirrje për dhunë.

Partitë politike kanë përdorur gjuhë të ashpër politike kundër
njëra-tjetrës, me akuza se përdorin grupe për “mbrojtjen e votës” apo
për korrupsion zgjedhor.