Depolitizimi i opozitës apo djalli në djepin e qeverisë

Karl Marks shkruante dyqind vjet më parë se njerëzimi merr përsipër
vetëm aq problem sa mund të zgjidhë. Sipas tij problemi lind vetëm kur
ekzistojnë kushtet për ta zgjidhur. Nëse nuk ka një zgjidhje, problemi
nuk ekziston si i tillë. 

Rama është pa dyshim një problem, madje më i madhi në historinë e
këtyre 30 viteve. Qeverisja e tij ka qenë një dështim spektakolar, aq sa
sot nuk na paraqet dot as një bilanc për të legjitimuar veten. Në këto
kushte atij i duhet një alibi për të vazhduar dhe e kjo mund të bëhet
vetëm duke mohuar problemin, nëpërmjet mohimit të një mundësie për
zgjidhje. Pra, e vetmja gjë që i mbetet është të ushqejë perceptimin se
opozita nuk është një alternativë qeverisjeje. Pra, qeverinë nuk ka kush
ta zëvendësojë: “Ja iku Rama, – përsërisin vazhdimisht spinierët e tij
të “paanshëm”, –  kush do vijë?”

Një sërë sloganesh që vetë Kryeministri riprodhon çdo ditë në fushatë
synojnë të konstruktojnë pikërisht këtë perceptim. Ai ripërsërit
vazhdimisht se “mua më kini, nuk ka tjetër” apo “ne nuk jemi më të
mirët, por më të mirë se ne nuk ka”, duke e paraqitur qenien e tij në
pushtet si determinizëm historik. Këtë e përforcon me pohime qesharake
kur  thotë se pushtetin nuk e do për vete, por për shqiptarët. Janë ata
që kanë nevojë për Edi Ramën dhe jo Edi Rama për ta. Mandati i tretë
është vetëm një akt bujarie i një Kryeministri altruist që sakrifikon
duke ndenjur në pushtet për hir të popullit, për të mos e ndëshkuar atë
me ikjen e tij!

Kjo
shpjegon edhe faktin, krejtësisht anormal, pse qeveria bën fushatë
negative. Duke mos gjetur dot asnjë fabul për të mbajtur pushtetin, ajo
përpiqet të ushqejë publikun me bindjen se opozita nuk ekziston si një
alternativë. Ajo është vetëm një ogur i keq, një makth që kërcënon
qetësinë, zhvillimin dhe normalitetin e vendit. Në gjuhën e
Kryeministrit, opozita përfaqëson gjithçka të ligë në historinë e këtij
vendi, të cilin “Zoti vetë e ka qëndisur”, sipas një projekti të
mrekullueshëm, por që “dora e robit” e ka penguar. Opozita është
pikërisht dora e ligë e këtij robi, që arrin të sprapsë edhe projektet
hyjnore.

Problemi pra nuk është qeveria, por opozita: Ja iku Rama, kush do vijë?

Për ironi, paradokset mund ti zbulojmë më mirë duke gërmuar në kutinë
e veglave retorike të vetë Kryeministrit. Kur fliste për reformën në
drejtësi, pasi vendi mbeti pa gjykata, ai mendonte ndryshe: “Më mirë
djepi bosh se djalli brenda”. Gjithashtu, edhe shumë analistë që
mendojnë të njëjtën gjë, nuk e kanë problem të boshatisin djepin e
opozitës duke e diskualifikuar atë si alternativë. Vetëm në rastin e
qeverisë nuk pranohet zbrazëtia.

Paradoksi mund të rrotullohet edhe në krahun tjetër. Politika e
spektaklit, e shoqëruar me këtë nivel inkriminimi të qeverisjes e bën,
jo vetëm të pamundur, por edhe të panevojshme ekzistencën e opozitës si
alternativë. Spektakli i mbivendoset realitetit dhe e asgjëson atë. Ai
nuk njeh realitet tjetër përveç atij të spektakolarizuar dhe gjërat
ekzistojnë vetëm për aq sa ato janë të shfaqshme në skenën e tij. Në
kushte të tilla, një opozite i duhet të spektakolarizohet për të qenë
konkurruese. Si rrjedhim asaj i duhet të zhvishet nga të qenit një
alternativë qeverisëse. Oferta opozitare duhet të depolitizohet. Nëse
ajo është politike, programore, ideologjike, nuk konkurron dot ndaj një
qeverisjeje aspak të tillë, por thjesht spektakolare, përveç se
korruptive, kriminale e autokratike.

Por, fiks në momentin kur absurdi e ka përkryer logjikën e vet,
gjithçka kthehet përmbys. Në këto kushte, alternativa bëhet e
parëndësishme. Një shtet i kapur plotësisht, një ekonomi e centralizuar
në një dorë, një media e kontrolluar dhe mungesa e plotë e
institucioneve të pavarura e funksionale, e bën të panevojshme
ekzistencën e opozitës si alternativë. Rrëzimii këtij pushteti bëhet
nevojë jetike duke e zhvleftësuar krejtësisht pyetjen “çfarë e
zëvendëson atë?”.

Në një gjuhë anatomike, shoqëria bën atë që bën vetë trupi njerëzor
në raste traumash të forta apo kërcënimesh: autofagia (vetngrënia), një
mekanizëm mbrojtjeje që qeliza e aktivizon kur jeta e saj kërcënohet nga
një rrezik. Ky mekanizëm bën që, kur organizmi sulmohet nga kanceri,
diabeti apo parkinsoni, qeliza të ndërpresë të gjitha funksionet
jojetësore në mënyrë që të ruajë energjinë qelizore për të luftuar
çrregullimin. Zgjedhjet e 25 Prillit janë gjithashtu një proces
autofagie ku nuk ka rëndësi asgjë tjetër përveç eliminimit të kërcënimit
që vjen nga kjo qeverisje. Pyetja se çfarë vjen pas saj, as që vlen të
shtrohet në këtë moment.