Dara e motit të keq me ngrica e dëborë vijon të mbajë të mbërthyer vendin. Ndërsa akset kombëtare kalohen me zinxhirë, ndonëse me vështirësi, në ato rurale raportohen bllokime në qarqet Kukës, Dibër, Shkodër dhe Elbasan. Por situata në shkallë vendi paraqitet e qëndrueshme. Sa i përket temperaturave, i gjithë territori shënon vlera negative, që në zonat e thella malore kanë zbritur deri në minus 21 gradë celcius, në vendet e ulta në minus 9 e në bregdet në minus 6.
Akset rurale Kukës – Shishtavec, Kukës – Shën Mëri e Surroj-Arrën, vijojnë të bllokuara, po ashtu dhe të Njësisë Administrative Gjinaj në Has. Në Dibër, Peshkopi-Lurë e Peshkopi-Selishtë nuk kalohen. Në Qarkun Shkodër, rruga Bogë – Qafë Thore – Theth është e bllokuar. Ndërkohë, në malin e Shoshit ka mbi 1 metër dëborë. Të pakalueshme rezultojnë dhe Fushë Arrëz – Iballë, Pukë – Qelëz, Qafë Mali – Fierzë, Qafë Shllak – Kukës e Selcë – Budaqë. Fadroma e dërguar nga ushtria nuk mundi të ndërhyjë në Malësinë e Madhe. Në Qarkun Elbasan, të bllokuara janë Librazhd – Stëblevë e Lunik – Stëblevë.