Masat anti-mafia, Basha: Konfiskim pasurive të qeverisë së krimit

Kreu i Partisë Demokratike ka denoncuar aferat korruptive të qeverisë, që sipas tij e kanë shndërruar vendin në kolaps.
Gjatë prezantimit të platformës për çlirimin e ekonomisë, Basha përmendi disa afera, që sipas tij i kanë marrë qytetarëve dhjetëra milionë euro.
“Shqipëria është në një gjendje kolapsi, në një krizë ekonomike, politike dhe morale ka kapluar vendin. E keqja është: rënia e demokracisë dhe e pushtetit vendor dhe aleanca mes krimit e qeverisë, që ka kapur zgjedhjet mes shitblerjes së votave dhe deformimit të vullnetit të popullit, duke kapur sistemin zgjedhor përmes bandave, – tha Basha. – Opozita ka propozuar platformën e Vettingut politik për të dalë nga kjo krizë kombëtare. Pra, largimi i politikanëve, por Rama e ka refuzuar me lloj lloj justifikimesh. Ne jemi të vendosur ta ndjekim deri në fund Vettingun politik si një masë kushtetuese që do të ndërpresë marrëdhënien e politikanëve me krimin”.
Basha, gjatë fjalës së tij nënvizoi se opozita do të shpalosë disa mendime në ligjin anti-mafia. Ai shtoi aferat korruptive të qeverisë shkojnë deri në 100 miliardë euro.
“Do të ketë konfiskim të pasurive të qeverisë së krimit, pasuri që janë vënë në kundërshtim me ligjin. Ligji Rama-Fusha për shembjen e Teatrit Kombëtar është një ligj kriminal dhe politik. Por aferat e qeverisë shkojnë deri te Rruga Durrës-Kukës, te check-up, inceneratorët”, – vijoi kreu i opozitës.
“Lidhja mes krimit dhe politikës ka avancuar si një kancer në ekonominë shqiptare. Kuvendi është kthyer në institucionin që ligjëron pastrimin e parave përmes bixhozit. Kapja totale e shtetit, kriminalizimi total i vendimmarrjes dhe shkatërrimi i ekonomisë dhe konkurrencës së lirë me përqendirimin e pasurive në pak duar, në ata që njihen oligarkë, shkatërrojnë konkurrencën e tregut”, u shpreh Basha.
Ai denoncoi se 45 biznese mbyllen çdo ditë, ndërsa shtoi se platforma antimafia e opozitës ka si synim, evidentimin, verifikimin, konfiskimin dhe sekuestrimin e pasurive të personave të përfshirë në afera korruptive.
Kreu i opozitës, u zotua në rikthim të kushteve të konkurrencës së lirë mes bizneseve, ku nga më i madhi te më i vogli të jenë të barabartë para ligjit.