Pas miratimit të rezolutës në Parlament nga mazhoranca dhe opozita kundër vendimit të presidentit Ilir Meta për shfuqizimin e 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale, Presidenca doli në një konferencë për të sqaruar edhe njëherë vendimin. “Presidenti vlerëson se kjo retorikë, ndonjëherë edhe toksike, nuk i shërben aspak as zgjidhjes së krizës dhe as paqes sociale në vend. Presidenti deklaron edhe njëherë se dekreti për shfuqizimin e dekretit të 30 qershorit është një akt që është marrë në mbështetje të plotë të dispozitave të Kushtetutës. Ai është në fuqi dhe është i detyrueshëm për të gjithë”, u shpreh Dervishaj. Presidenca thekson se shfuqizimi i 30 qershorit është i detyrushëm për të gjithë aktorët politikë. “Çdo subjekt politik që nuk është dakord është i lirë që të ngrejë pretendimet e tij në Gjykatën Kushtetuese apo në çdo gjykatë tjetër të çdo niveli që ai gjykon se mund të shqyrtojë pretendimin”, tha Dervishaj. Dervishaj bëri edhe një sqarim për këshillat bashkiakë dhe kryebashkiakët. Dervishaj sqaroi se edhe kryebashkiakët aktual do të vijojnë të qëndrojnë në detyrë pas 30 qershorit, deri në momentin kur të betohen kryebashkiakët e rinj.