Analisti nga Kosova, Milaim Zeka ka kritikuar kryeministrin e ri të Kosovës, Albin Kurtin për refuzimin që i bëri vaksinave kineze që ofroi Shqipëria.
Zeka e quan një veprim skandaloz refuzimin, ndërkohë ai i bën thirrje kryeministrit shqiptar, gjatë një interviste në Top Channel, që të hapë një qendër vaksinimi në Kukës ku ai do të shkonte vetë i pari së bashku me familjen e tij të vaksinohej.
Shqipëria u ofrua pak kohë më parë që të jepte një pjesë të vaksinave të saj kineze për vaksinimin e shtetasve kosovare, por Kosova i ktheu përgjigje negative, duke u shprehur se ata nuk marrin dot vaksina që nuk janë të certifikuara nga EMA.
“Kjo është e dhimbshme sepse e vetmja zgjidhje e problemit është vaksinimi. Nuk mund të vazhdojmë të jemi të mbyllur. Deri me datën 18 jemi të mbyllur totalisht. Kjo nuk ndihmon në mënyrë absolute. E vetmja shpresë e jona ka qenë Tirana, Shqipëria, por unë nuk po e kuptoj vendimin skandaloz të kryeministrit Kurti. Jemi shoqëri e çmendur këtej dhe andej. Merr shembullin e vaksinave dhe të bllokimit të aeroportit të Rinasit. Ne jemi për librin e Guiness për punë të çmendurive.
Ku ndodh në botë? Të gjithë ata njerëz për qëllimet e tyre politike, jo për punën e pagave, me pandeminë, në të gjithë botën janë ulur pagat, e gjithë bota po ballafaqohet me problemin më të madh. Është një krizë totale, në Shqipëri mbyllet aeroporti për shkaqe politike. Mirë do të ishte që Edi Rama të vendosë disa vende ku ne mund të vaksinohemi në Kukës. Atëherë do të shihni reagimin e vërtetë të qytetarit të Republikës së Kosovës që nuk pyet qeverinë. Unë me familjen time i pari do të vija dhe të vaksinohesha andej”, tha Zeka.