Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) deklaroi dje se kishte gjetur një “lidhje të mundshme” mes vaksinës kundër COVID-19, “AstraZeneca” dhe mpiksjes së gjakut që shkakton trombozë, por theksoi se efektet anësore janë “shumë të rralla” duke rekomanduar vijimin e injektimit të dozave.
Përfitimet e vaksinës, tha më tej EMA, tejkalojnë rreziqet. Ekspertët e EMA-s realizuan një rishikim të plotë të rasteve të trombozës, 18 prej të cilëve ishin fatale.
Cilat janë simptomat e dyshimta që shkakton në raste të rralla vaksina “AstraZeneca”?
Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) sqaroi se simptomat e dyshimta që duhet të shqetësojnë të vaksinuarit janë:
– vështirësi në frymëmarrje
– dhimbje në gjoks
– ënjtje në këmbë
– dhimbje të vazhdueshme të barkut
– simptoma neurologjike, duke përfshirë dhimbje koke të forta dhe të vazhdueshme
– shenja të vogla të gjakut nën lëkurë përtej vendit të injektimit.